Sipërfaqe te mëdha me pyje në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë vazhdojnë të jenë nën pushtetin e flakëve.

Zonat janë larg qendrave të banuara, por dhe shumë të vështira për t’u ndërhyrë nga toka për fikjen e zjarreve. Janë angazhuar më shumë se 800 punonjës të strukturave zjarrfikëse, ushtrisë, policisë e pushtetit lokal, por dhe vullnetare. Por është ndërhyrë dhe nga ajri nga ekipi i avionëve rumunë që ndodhen në vendin tonë prej ditës së mërkurë.

Në të gjithë vendin në 24 orët e fundit u evidentuan 44 vatra zjarri, nga të cilat 34 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 10 vatra mbeten ende aktive.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kërkon nga bashkitë të përmbushin detyrimin ligjor, të mbajnë në gatishmëri strukturat e emergjencave si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin e zjarreve.

Tv Klan