Ndonëse dy forcat e mëdha politike janë shprehur pro ngritjes së një komisioni AD-HOC për mbikëqyrjen e procesit të pajisje së qytetarëve me letërnjoftime, mazhoranca dhe opozita kanë vijuar sërish me debate mbi këtë çështje kësaj here në parlament.

Në emër të grupit kuvendor të socialistëve deputeti Blendi Klosi ritheksoi shqetësimin që ka selia rozë për pajisjen e qytetarëve brenda datës 28 qershor, që është dhe afati i fundit me karta ID. Për këtë arsye socialistët propozuan punësimin e një kompanie konsulente.

Blendi Klosi: “Ne i kërkojmë këtij kuvendi të ngrejë një komision parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi dhe qeverisë të kontaktojë një kompani konsulente jashtë qeveritare, që do të mbrojë interesat e qytetarëve. Do duhet t’iu shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se skenarët më optimist të zyrtarëve tanë në këto 160 ditë të ngelura, nuk mund të kryhen as teorikisht më shumë se sa 800 mijë aplikime nga 3.2 milion votues që ka regjistri kombëtar. Vazhdojmë kërkojmë me forcë që kjo periudhë do duhet t’i dedikohet tërësisht pajisjes me dokument identifikimi, të zgjedhësve pa pasaportë.”

Në këtë frymë zëvendës kryeministri Genc Pollo pohoi vullnetin e mazhorancës për ngritjen e një komisioni të kërkuar nga opozita. Por i rikujtoi asaj se gjatë 8 vjetëve të qeverisjes nuk mbajti premtimin për realizimin e këtij projekti për mungesë vullneti apo për paaftësisë, siç u shpreh ai.

Genc Pollo: “Gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste u premtua në mënyrë të pareshtur dhe asnjëherë nuk u realizua. Megjithëse për 8 vite kjo mund të realizohej 3 ose 4 herë. Shqetësimi tjetër i 730 mijë personave që nuk kanë pasaporta është një shqetësim i drejtë i opozitës, jo vetëm i opozitës kuptohet, por Vendimi i Këshillit të Ministrave që u përmend ka një pikë numër 8 që përcakton që këta zonja e zotërinj që për shkak të moshës, apo për shkak të arsyeve tjera nuk kanë marrë pasaportë janë prioritar në pajisjen e tyre.”

Komisioni i posaçëm i propozuar nga opozita pritet të jetë bipartizan. Siç u shpreh në fillim të javës kryetari i grupit parlamentar demokrat Patozi, duke iu referuar rregullores së parlamentit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro