Një nga fokuset e Kongresit të Partisë Socialiste ishte edhe procesi i rienergjizimit. Për të prezantuar arritjet në këtë proces ishte Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Blendi Klosi. Sipas tij procesi është ndarë në katër faza.

Në fazën e parë, u bë një vlerësim i plotë i çdo organizate. Objektivi, sipas Klosit, ka qenë raportimi i saktë i statusit operativ të tyre.

“Përpjekjet nxorrën në pah disa të dhëna kryesore, ku identifikuam 570 organizata me më pak se 4 anëtarë, 3417 organizata me më pak se 3 shoqe. 3891 organizata me më pak se 3 anëtarë të rinj nën moshën 30 vjeç. Të dhënat u pasqyruan në databazë”, tha Klosi.

Më pas, socialistët kanë kaluar në fazën e dytë, atë të korrigjimit të situatës. Kjo ka sjellë në sjelljen e 34 mijë anëtarëve të rinj në radhët e PS.  

“Çdo organizatë socialiste mori si detyrë të rekrutonte të paktën 4 anëtarë të rinj duke siguruar që dy prej tyre të ishin shoqe dhe të paktën një prej tyre nga mosha 18 deri në 30 vjeç. Kjo fazë ishte vendimtare për rinovimin dhe zgjerimin e bazës sonë të anëtarësisë, duke përmirësuar anëtarësinë ekzistuese. Rezultatet e fazës së dytë ishin të jashtëzakonshme. Ne  Mirëpritëm 34 mijë anëtarë të rinj në radhët e PS, duke e çuar anëtarësimin tonë aktiv në mbi 100 mijë në fund të kësaj faze”, tha Klosi.

Sipas tij, mbi 15 mijë anëtare të reja gra, ndërsa 12 mijë janë anëtarë të rinj në moshë.

Klosi tha se më pas u kalua në fazën e tretë. Strukturat e PS u fokusuan në zgjedhjet demokratike brenda partisë për kryetarët dhe bashkëkryetarët brenda çdo organizate. Këto zgjedhje u zhvilluan për të rifreskuar drejtuesit.

Ndërsa faza e katërt përbënte zgjedhjen e delegatëve të kongresit. Këto zgjedhje u realizuan sipas parimit “një anëtar një votë”./tvklan.al