Një borxh i pakthyer, ka qenë ky shkaku i plagosjes me armë pasditen e djeshme në një lokal në qytetin e Durrësit.

Burime nga policia e Durrësit për korrespondenten e Klan News, Enkeleda Arapi, bënë të ditur se një nga djemtë e 70-vjeçarit që mbeti i plagosur, i kishte marrë një shumë parash autorit të dyshuar të ngjarjes, Adil Hizdri dhe nuk ia kishte kthyer.

Pak para ngjarjes, Adil Hizdri e kishte takuar 70-vjeçarin, Fadil Hunda në një lokal ku po pinte kafe dhe aty kishin debatuar për borxhin e pakthyer. Në debat e sipër, 31-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se pistoleta e 31-vjeçarit është bllokuar pas disa të shtënave, ndërkohë që i dëmtuari ka marrë një plumb në shpinë dhe gjendet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes punonte me një nga djemtë e të dëmtuarit dhe kishin pasur debate në lidhje me shumën e Lekëve që ai do duhej të paguhej sipas marrëveshjes që kishin bërë me njëri-tjetrin./tvklan.al