Ka degjeneruar në dhunë mes tifozëve ndeshja e luajtur në stadiumin Besëlidhja të Lezhës mes ekipit vendas dhe Tërbunit të Pukës.

Tifozeritë e të dy ekipeve janë përleshur me njëra-tjetrën në përfundim të takimit. Mendohet të jenë përfshirë në përplasje fizike edhe futbollistët e stafet teknike të skuadrave në dhomat e zhveshjes.

Gjatë gjithë takimit ka patur trazira gjë që ka sjellë ndërprerjen e ndeshjes disa herë nga gjyqtari. Ka qenë një rezultat i barabartë që ka acaruar tifozët lezhjanë, të cilët kanë kontestuar gjykimin.

Stafi i ekipit të Tërbunit është parë disa herë të hyjë në fushë duke kontestuar vendimin e arbitrit.

Rreth minutës së 80-të të takimit batutat e tifozëve të të dy ekipeve kanë sjellë edhe përplasje fizike në mes tyre, ku janë parë edhe persona të gjakosur.

Sipas informacioneve një prej tyre është dërguar në spitalin e Lezhës, ndërsa disa të tjerë kanë marrë plagë të lehta.

Normalisht përfaqësuesit e dy tifozerive duhet të qëndrojnë në tribuna të veçuara në pamundësi një kordon i policisë qëndron mes tyre, por në tribunën e stadiumit policia lezhjane i ndan tifozët në mënyrën më pak profesionale të mundshme.

Uniformat blu gjejnë mënyrën më të shpejtë për të ndërhyrë duke kapërcyer rrethimin, madje prania e tyre ka bërë që të krijohet edhe një tension më i madh.

Tifozët lezhjanë kanë pretenduar një trukim të rezultatit nga ana e gjyqtarëve të takimit. Sipas tyre arbritrat janë paguar nga skuadra pukjane.  Sherri është shtrirë më pas edhe në ambientet jashtë stadiumit duke krijuar një kaos dhe tension njëkohësisht./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe