Teksa e gjithë vëmendja është përqendruar në luftimet në rajonin rus Kursk, ushtria ukrainase duket se ka nisur një tjetër sulm në një tjetër rajon të Rusisë, në atë Bryansk pranë kufirit me Bjellorusinë.

Nga burimet ushtarake mësohet se ka pasur luftime në kufirin e rajonit Bryansk ku raportohen se po marrin pjesë në sulm rreth 200 ushtarë ukrainas. Por Rusia nga ana e saj pretendon se ka parandaluar sulmin dhe gjendja është e stabilizuar.

Dronë ushtarakë ukrainas kanë shënjestruar një aeroport ushtarak në rajonin e Volgogradit të Rusisë. Raportohet për shpërthime dhe zjarr në këtë bazë ajrore të avionëve Su-24 dhe Su-34.

Sulme u kryen gjithashtu edhe në disa depo nafte dhe vijon të digjet rafineria e madhe në rajonin Rostov. Të gjitha këto veprime të ushtrisë ukrainase synojnë të ngadalësojnë përparimin e Rusisë brenda Ukrainës, ku gjendja më e vështirë është në Dombas.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi avancimin e Rusisë dhe theksoi rëndësinë që aleatët e Ukrainës të përmbushin detyrimin e tyre me furnizime municioni.

“Përveç kësaj, diskutuam me partnerët punën drejt vendimeve reale për 50 miliardë dollarët e premtuar nga asetet e ngrira ruse. Shumë deklarata politike janë bërë tashmë nga partnerët tanë dhe ka ende shumë që thuhet për këtë tani. Por ne kemi nevojë për një mekanizmi real në mënyrë që të gjitha këto të funksionojnë për Ukrainën  në muajt e ardhshëm nevojshme”.

Zelensky u shpreh gjithashtu se sulmi që Ukraina nisi në rajonin Kursk të Rusisë më 6 gusht po vazhdon dhe se forcat e tij kontrollonin disa zona, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës në përgjithësi e kanë mbështetur operacionin në Kursk ndonëse nuk ishin të informuar. Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se Berlini po monitoronte nga afër zhvillimet e mëtejshme rreth inkursionit.

“Para së gjithash, Ukraina e ka përgatitur operacionin e saj ushtarak në rajonin e Kurskut shumë fshehurazi dhe pa reagime, gjë që sigurisht është për shkak të situatës. Ky është një operacion shumë i kufizuar për sa i përket hapësirës dhe ndoshta edhe për sa i përket kohës, të cilën ne nuk e dimë me siguri. Gjermania nuk do të pushojë së mbështeturi Ukrainën”.

Udhëheqësit ukrainas e kanë cilësuar sulmin si provë se ushtria e tyre ende mund të ketë sukses në operacionet sulmuese ndaj Rusisë.

Klan News