Drita u mposht 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Legias së Varshavës, sfidë kjo e vlefshme për “play off”-in e Conference League.

Gjilanasit janë skuadra e vetme shqiptare në Europë, ndërsa në transfertën polake rezistuan vetëm një pjesë.

Fraksioni i parë i lojës, u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa i dyti ishte tjetër histori. Drita luajti nga minuta e 31-të me 10 lojtarë, pasi Gomda u ndëshkua me karton të kuq.

Legia zhbllokoi sfidën në minutën e 56-të, pas një goli të shënuar nga Kramer. Për të vulosur takimin, mendoi Gual, që realizoi të dytin në minutën e 83-të.

Paraqitje dinjitoze e Dritës, që shpreson te mrekullia në ndeshjen e kthimit që do të luhet pas një jave në Kosovë. Skuadra e drejtuar nga Ramadani, do të kërkojë përmbysjen, diçka që duket shumë e vështirë duke parë kundërshtarin e vështirë përballë. /tvklan.al