Lajme Arkiva 2003

Paralelisht me përpjekjet në parlament të Partisë Demokratike për hetimin e veprimtarisë së Bashkisë së Tiranës, këshilltarët demokrat janë vënë në lëvizje për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm por janë penguar nga zyrtarët e bashkisë. Të paktën ky është denoncimi publik i ardhur nga anëtarët e Partisë Demokratike të cilët kanë kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak.

Njazi Kosovrasti: Ka kaq kohë që kryetari i Bashkisë Tiranë deklaron me zhurmë se ai dhe administrata e tij janë të gatshëm të na japin çdolloj informacioni dhe dokumentacioni që ka të bëjë me aktivitetin e Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë ka mbi dy vjet që i ka thënë jo Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashki, jo kontrollit të ministrisë së Pushtetit vendor, po i thotë jo ngritjes së komisionit parlamentar dhe i tha jo edhe kërkesës së opozitës në këshillë për të pasur fotokopje të disa prej dokumenteve të sipërpërmendura të urbanistikës. Ne jemi sot këtu për ti kujtuar kryetarit të bashkisë se do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të bërë të mundur shtrimin e kompetencave dhe detyrave që na ngarkon kushtetuta dhe ligji, prandaj kemi thirrur edhe këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Demokratët kanë folur edhe për një projektvendim qarkullues me anë të cilit sipas tyre kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama po përpiqet të siguroj firmat e 33 anëtarëve të këshillit bashkiak për të kaluar taksat dhe tarifat pa mbledhur këshilli bashkiak./tvklan.al