Ditën e sotme ka qenë e ftuar në “Aldo Morning Show” dermatologia Dorina Hajro.

Ajo dha disa këshilla për sa i përket ndikimit të temperaturave të larta në lëkurë, sidomos tek fëmijët. Diçka e pashmangshme për këto të fundit, në stinën e verës janë edhe pishinat.

Sipas dermatologes duhet të jemi shumë selektivë për vendin ku zgjedhim të shkojmë, të kemi informacione mbi pjesën e dezinfektimeve dhe kontrolleve të rregullta.

“Duke qenë se në shumicën e pishinave futen si të rritur, ashtu edhe fëmijë, më e mira është që të gjithë njerëzit të bëjnë një dush përpara se të hyjnë. Kjo është e rëndësishme, pasi produktet që përdorin të rriturit për flokë apo trup ulin nivelin dezinfektant të klorit në pishinë. Në këtë mënyrë ulet ndjeshëm edhe cilësia mbrojtëse antibakteriale, infeksioneve mykotike apo virusale”, tha dermatologia.

Kategoritë më të prekura nga këto infeksione janë padiskutim fëmijët, dhe pas tyre të moshuarit.

Ajo që veçohet si më kryesorja për pishinat, sipas Hajro, është dezinfektimi i mirë, pastrimi i filtrave dhe matja të paktën një herë në muaj e sasisë së mikroorganizmave që gjenden aty./tvklan.al