Erjon Goxhara, efektivi i policisë që plagosi Lorenc Kostën, mohon që të ketë planifikuar ngjarjen, ndryshe sa pretendojnë autoritetet.

Pas vetëdorëzimit në Policinë e Tiranës, 46-vjeçari është shprehur se Kostën e pa rastësisht teksa po drekonte me vajzën. Ai i ka thënë hetuesve se e ngacmonte gjithmonë.

“Isha tek Komuna e Parisit me vajzën dhe ishim ulur në një lokal për të drekuar. Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer dhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë. Nuk e kam bërë me paramendim. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete”, tha ai.

46-vjeçari tregoi dhe rrugën që ndoqi për t’u arratisur.

“Kam telefonuar djalin dhe e kam takuar tek “Rrethi i Shkozës”. Kemi shkuar bashkë me taksi për në Fresk dhe afër zonës së “Thesarit” jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem”, tha Goxhara.

Pavarësisht deklarimeve, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës referuan dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Të premten ai pritet të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Klan News