Një rrjet prostitucioni në Tiranë që organizohej nga dy gra kineze, është goditur nga Policia e Tiranës.

Në pranga ka rënë 52-vjeçarja kineze Yhong Yang banuese në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur bashkëpunëtorja e saj. 38 vjeçe nga Kina, banuese në Tiranë.

Në bashkëpunim me njëra-tjetrën, ato rekrutonin vajza nga Kina dhe Filipinet. Fillimisht i gjenin në rrjetet sociale dhe më pas i prisnin në Rinas.

Pasi u siguronin viza pune dhe leje qëndrimi, i akomodonin në banesa me qira, kryesisht në afërsi të Prokurorisë së Tiranës, por edhe zona të tjera.

Në këto ambiente realizoheshin fotografi erotike dhe i reklamonin në faqen “Escort Tirana”, për tu shfrytëzuar për prostitucion kundrejt tarifave 150-300 Euro.

Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga aktiviteti kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara ushtronin dhunën ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve.

Në një prej rasteve, 38-vjeçarja e shpallur në kërkim njërës nga vajzat që ka kërkuar të largohet nga rrjeti i prostitucionit duke e kanosur i ka marrë shumën prej 15 mijë Euro.

Nga kontrollet e sektorit për hetimin e trafiqeve u sekuestruan 4500 Euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, 1 laptop, 3 aparate celularë, 2 pasaporta dhe tre fletore me shënime.

Ndaj dy grave janë ngritur disa akuza penale, ndërsa 7 vajzat nga Kina dhe Filipinet u proceduan penalisht.

Klan News