Policia ka zbardhur të gjithë dinamikën e vrasjes së 72-vjeçarit Faik Hajdinin në fshatin Zhapokik të Memaliajt.

Krimi ka ndodhur për gardhin rrethues të shtëpisë dhe është organizuar nga fqinjët. Çifti Skënder e Darovi Hajdini, pas një sërë konfliktesh me 72-vjeçarin, kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi të vrasë fqinjin e tyre.

Drejtori i Policisë së Gjirokastrës njoftoi këtë të enjte se është arrestuar autori i vrasjes, 23-vjeçari Blerti Kanushi.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skënder Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit”, tha Ardian Çipa.

Një ditë më parë Policia e Gjirokastrës informoi se u arrestua Skënder Hajdini dhe djali i tij për fshehje të krimit.

72-vjeçari prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen, dhe ishin këta të fundit që bënë denoncimin në Policinë e Memaliaj për zhdukjen e të afërmit të tyre.

Klan News