I dënuari Ilir Selmani: Konflikti pasi Ervisi donte të merrte biznesin e llotove

Ilir Selmani, i dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 28 vite burg, si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos, dëshmoi në procesin ndaj vëllezërve Leonard e Erlis Duka, Aleksandër Manxhakut, Dritan Agajt, Oltion Logut dhe Fatmir Hysenit.

Gjatë shpjegimeve të dhëna para gjykatës Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Selmani shpjegoi cila është arsyeja e përplasjes mes vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt.

“Blendi Teta më tha që e ka marrë peng Ervis Martinaj. I kanë thënë se do të të murosnin. Ervis Martinaj e njoh se ka patur kompani të përbashkët llotosh me vëllezërit Duka. Arsyeja e përplasjes mes Dukëve dhe Martinajt ishte se ky i fundit donte t’i merrte biznesin. Po bëj burg kot, jemi të pafajshme unë dhe shokët e mi. Në dijeninë time Santiago Malko ka qenë krahu i djathtë i Martinajt. Ju prokuror nuk keni bërë asnjë hetim, por i keni marrë të gatshme. Janë paguar mbi 500 mijë Euro për të dëmtuar Leonard e Erlis Dukën.”

Në deklarimet e tij ai ka shpjeguar të gjithë lëvizjet që ka kryer natën e ngjarjes. Ai tha se në 27 Gusht të 2019 ka shoqëruar Blendi Tetën deri tek spitalet dhe është kthyer për në Fresk. Salmani tha se bashkëshortja e ka lajmëruar që e kërkonte policia.

Ai tha që i ka fobi uniformat blu dhe për këtë arsye nuk është dorëzuar. Ervis Martinajn e njihte pasi kishte lidhje me Dukët për lojrat e fatit.

Klan News