Policia e Tiranës ka shoqëruar në polici gruan që disa ditë më parë tentoi të rrëmbente një vajzë të mitur, vetëm 2 vjeçe. Uniformat blu thonë se bëhet fjalë për një 57-vjeçare, e cila është shoqëruar në komisariat. Dyshohet se ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Gruaja do të procedohet në gjendje të lirë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë së mbetur në tentativë”.

Siç duket edhe në pamje gruaja shikon fëmijën dhe pasi bisedon me të e merr në krahë dhe del nga marketi. Pasi pikasi marrjen e fëmijës, mamaja del menjëherë dhe i vihet në ndjekje. Pas disa sekondash ajo kthehet sërish në market bashkë me gruan që i mori fëmijën.

Denoncimi në polici është bërë disa orë më vonë nga babai i të miturës. Ngjarja ka ndodhur më datë 15 shtator në një market në “Rrugën e Barrikadave” në kryeqytet.

Klan News