Numri 1 i botës në tenis, Janik Siner u emërua ambasador i ‘Team26’, programi vullnetar për Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të mbahen afër vendlindjes së tij.

Gjatë një konference për shtyp kampioni i US Open tha se ishte i nderuar për këtë rol dhe theksoi se rëndësi të madhe si për turnetë e tenisit, ashtu edhe për Lojërat Olimpike kanë vullnetarët.

“Ndihem i nderuar që jam pjesë e kësaj skuadre. Ata e dinë që jam në dispozicion nëse kanë nevojë për mua! Jam shumë i hapur sepse është nder për mua. E di se çfarë do të thotë të jesh vullnetar dhe do të jap maksimumin. Për mua do të thotë shumë sepse ne kemi nevojë për 18,000 njerëz këtu, që është një numër i madh. Të luash tenis dhe të shkosh në turne pa vullnetarë, nuk ka të tillë. Është e paimagjinueshme që të kemi një event pa vullnetarë.”

23-vjeçari deklaroi se është rritur duke bërë ski alpin përpara se t’i përkushtohej tenisit.

“Skijimi ishte një gjë normale për mua dhe miqtë e mi! Ishte si të ecja! Skijimi më dha shumë, por edhe sporti në përgjithësi. Më bëri të kuptoj se kush jam dhe në fund zgjodha tenisin.

Organizatorët e Milano Cortina 2026 shpresojnë të regjistrojnë rreth 18,000 vullnetarë për Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike 2026, të cilat fillojnë në shkurt të atij viti.

Klan News