Deputetët demokratë nuk lejojnë uljen në sallë të kolegëve socialistë

Edhe këtë të martë deputetët e PD bllokuan zhvillimin e mbledhjes së komisionit të Reformës Zgjedhore në të cilën ishte parashikuar një seancë dëgjimore me disa nga organizatat e Shoqërisë Civile.

Edhe pse mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej në orën 12:30, deputetët demokratë mbërritën në ambientet ku do të zhvillohej mbledhja 20 minuta para këtij orari.

Përplasja e parë e deputetëve ishte me gardën.

Pasi u futën brenda deputetët e PD zunë vendet e anëtarëve dhe bashkëkryetarëve të Komisionit.

Edhe pse disa nga anëtarët e PS arritën të futeshin në sallë, një debat i ashpër u zhvillua mes deputetit Flamur Noka dhe bashkëkryetarit të Komisionit Damian Gjiknuri.

“Emrin opozitë nuk ja jep dot se emrin opozitë ja kanë dhënë shqiptarët, as ti as Edi Rama.”

Pas përplasjes verbale me demokratët, Gjiknuri në një deklaratë për mediat njoftoi se komisioni i Reformës Zgjedhore do të zhvillohet online.

“Po pengojnë ecurinë e Reformës Zgjedhore, pra pamundësia fizike na bën që ne përsëri të njoftojmë një mbledhje tjetër, përsëri me të njejtët aktorë që kishim parashikuar sot, por natyrisht do të gjejmë mënyrat e duhura për ta bërë atë dhe mendoj që zgjidhja që bëmë herën e kaluar duke kaluar online do të jetë zgjidhja e duhur.”  

Grupi Parlamentar i PD deklaron se nuk do të tërhiqet nga aksioni deri në ndryshimin e përbërjes së komisionit të Reformës Zgjedhore dhe zëvendësimin e bashkëkryetarit Enkelejd Alibajn me Oerd Bylykbashin.

Klan News