Për kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani  mbetet shqetësues fakti që institucionet publike nuk bëjnë kallëzime për vepra penale. Në Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian, ku ishin të pranishëm edhe drejtues të tjerë të sistemit te drejtësisë, Dumani theksoi se përveç Policisë së Shtetit, institucionet e tjera kanë pësuar ulje në krahasim me vitin 2022.

Altin Dumani, kreu i SPAK: Rënia e referimeve nga institucionet publike edhe nga raporti i depozituar edhe ne Kuvend edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë evidentohet një rënie prej 40% krahasuar me vitin 2022. Këtu përjashtuar Policinë e Shtetit e cila ka ruajtur të njëjtin trend.

Deklarata e Dumanit, solli dhe reagimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, i cili tha se është ende herët që SPAK të bëjë një analizë të tillë statistikore.

Bledi Çuçi, kryetar i Grupit Parlamentar PS: Unë mendoj që është shpejtë për një institucion që ka vetëm tre vite të bëjë një analizë statistikore sepse duhet një bazë më e gjerë.

Në takimin mbi arritjet dhe sfidat për përmbushjen e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2023, kreu i SPAK shprehu një tjetër problem janë dosjet e mbartura si dhe mungesa e këshilltarëve ligjorë.

Altin Dumani, kreu i SPAK: Shqetësuese përbën për SPAK ngarkesa e madhe dhe sidomos dosjet e mbartura. Problematikë tjetër është mungesa e këshilltarëve ligjorë, edhe kjo e adresuar kohë më paraë nga ana e Prokurorisë së Posaçme.

Kryeprokurori Olsian Çela bëri një bilanc të punës për vitin 2023, ndërsa theksoi se në vendin tonë ka rritje të krimit kibernetik.

Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm: Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur për çështje të korrupsionit. Krimi kibernetik i cili përbën një shqetësim gjithmonë edhe më të madh për këdo. Për vitin 2023 kemi arritur nga 255 çështje në vitin 2022 në 312 çështje në vitin 2023

I pranishëm në këtë takim ishte dhe ambasadori i BE-së Silvio Gonzato i cili vlerësoi arritjet e reformës në drejtësi.

Silvio Gonzato, Ambasadori i BE: Shqipëria po vendoset në të njëjtën fushë me shtete anëtare të BE-së. ne kemi dhe planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor. BE ka qenë një mbështetës i palëkundur dhe i fortë i Reformës në Drejtësi. Vijojmë me monitorimin e kësaj reforme. Ka disa çështje që kërkojnë vëmendjen tonë. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore, pasi çështjet e mbartura në gjykata duhet të ulen. Pavarësia e gjyqësorit është themelore, ne presim jo vetëm punë të fortë por edhe vullnet politik. 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani tha në Këshillin Kombëtar të Integrimit se institucioni që ai drejton ka mungesa në staf si dhe ka të nevojshme ndryshime në strukturë.

Klan News