Lajme Arkiva 2004

Dy kompani të huaja janë të interesuara për financimin e rrugës Durrës-Kukës, bëhet fjalë për kompaninë Italiane që ka ofruar mundësinë e financimit të rrugës përmes kredive me kushte tregtare të bankave italiane, si dhe një bashkim kompanish zvicerane-austriake që mbetet i interesuar prej disa muajsh për koncesionin e segmentit krejtësisht të ri Rrëshen-Kalemash.

Spartak Poçi: Për sa i  takon rrugës Durrës-Kukës, po vazhdojmë më një kompani të madhe austriake e cila tashmë ka interesin për të marrë me koncesion segmentin kryesor të kësaj rruge. Grupi i punës është prezent këto ditë këtu në Tiranë. Po shikojmë që ka ecuri në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë është edhe një kompani e rëndësishme italiane e cila po  përgatitet edhe ajo, për të bërë një ofertë për këtë koncesion. Presim oferta dhe do të zgjedhim paketën më të leverdishme.

Banka Botërore një nga financuesit e rrugës Durrës-Kukës sugjeroi disa ditë më parë që qeveria të përdor konkurrimin e hapur për koncesionin e rrugës. Ndërkohë qeveria mbetet ende në kërkim të financimeve për rrugën strategjike që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Në mes të vitit pritet të akordohen afro 15 milionë dollarë nga Banka Botërore dhe 15 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, pjesë e taksave për rrugën të mbledhura gjatë dy viteve të fundit, ndërkohë që kostoja totale e rrugës arrin në mbi 300 milionë Dollarë./tvklan.al