Nesër Partia Demokratike do të zhvillojë protestë para Kryeministrisë, duke pretenduar se kjo do të jetë protesta më e madhe në vend.

Në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, tha se protesta e nesërme është një protestë për qytetarët, të cilët sipas tij kanë një mijë e një arsye për të protestuar.

“Shqiptarët siç kanë një mijë arsye për të protestuar fatkeqësisht gjejnë edhe një mijë arsye të tjera për të mos dalë në protestë,” tha më tej Paloka, ku nuk kurseu as kritikat ndaj qytetarëve, duke theksuar se ende nuk kanë kulturën perëndimore për të protestuar për problemet e tyre.

Edi Paloka, kreu i Këshillit Kombëtar të PD: Protestën nesër vërtet e thërret Partia Demokratike, e thërret opozita, por protesta nesër nuk është e Partisë Demokratike dhe nuk është për të celebruar marrjen e simboleve dhe të flamurit të PD. Kështu që ne kemi thirrur nesër protestë për qytetarët e Shqipërisë, të cilët kanë njëmijë e një arsye për të protestuar. Unë nuk di të ketë ndonjë popull tjetër në Evropë që të ketë më shumë arsye për të protestuar se sa shqiptarët dhe thjesht jemi bërë iniciatorë ose i jemi përgjigjur në një farë mënyre nevojës që kanë shqiptarët për protestë. Ka një problem me shqiptarët, nuk ngrihen kurrë për të protestuar për një problematikë të tyren pa i thirrur një parti politike. Kjo nuk është diçka pozitive të paktën për mua është një problem që ndikon në mirëqenien e një populli apo të një kombi. Ne më tepër e thërrasim këtë protestë edhe si një nevojë që kanë qytetarët për të thërritur, për të organizuar dikush protesta, sepse thashë ose niveli qytetar i organizimit ose nuk është në atë nivel që të paktën është bota e zhvilluar, Perëndimi, ose pastaj shqiptarët siç kanë një mijë arsye për të protestuar fatkeqësisht gjejnë edhe një mijë arsye të tjera për të mos dalë në protestë.

Paloka bëri të ditur gjithashtu se në protestën e nesërme të opozitës do të mbajë fjalën edhe lideri i saj Sali Berisha, i cili aktualisht ndodhet nën masën “arrest shtëpi”.

“Thirrja jonë për qytetarët nesër është që të jenë të pranishëm të paktën të tregojnë,  të reagojnë. Të tregojnë pakënaqësitë e tyre, mospranimin e së keqes me praninë në manifestim, në protestë. Lidhur me skenarin e protestës për mua pak rëndësi ka, rëndësi ka që qytetarët të jenë aty për të treguar që nuk pajtohen me vjedhjen dhe çdo gjë të keqe, që iu bëhet çdo ditë. Sali Berisha do të flasë sigurisht është lideri i opozitës dhe do të flasë nesër në atë protestë. Për pjesën e skenarit, unë nuk jam marrë shumë me organizimin dhe nuk ndonjë detaj më tepër,” përfundoi fjalën e tij Edi Paloka.

/tvklan.al