Votimi i mbrëmshëm në këshillin bashkiak të Tiranës për projektbuxhetin e bashkisë është konsideruar si i ligjshëm nga kryebashkiaku Edi Rama, pavarësisht shpalljes së tij si të pavlefshëm nga kryetari i këshillit.

Në një konferencë për shtyp ku e konsideroi të mbyllur këtë çështje Rama ftoi kundërshtarët e tij politik kryeministrin Berisha dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta, që ta njohin këtë rezultat, i cili sipas tij do të pasohet nga verdikti i popullit edhe në zgjedhjet e 28 Qershorit pavarësisht ndasive politike.

Edi Rama: “Asnjë prej qytetarëve e qytetareve që kanë votuar më 18 Shkurt për koalicionin tonë apo për grupin e Ilir Metës nuk do të donin sot që pasi u bashkua me Sali Berishën për të bllokuar buxhetin, Iliri të bashkohej me Sali Berishën për të prishur votimin e ligjshëm transparent dhe të fiksuar nga të gjitha kamerat pro buxhetit. Kjo do të ishte jo vetëm më e keqja për atë vetë dhe për grupin e tij, por dhe oguri më i padëshiruar për lirinë dhe ndjeshmërinë e zgjedhjeve të mëdha. Në anën tjetër Sali Berisha duhet të japë sot si kryeministër duke pranuar rezultatin e një votimi të bërë në sytë e të gjithë shqiptarëve nga 29 qytetarë provën se është i gatshëm të pranojë nesër verdiktin që do të dalë nga mijëra kuti të votimit ku populli i tëri do të hedhë votën për ndryshimin e shumëpritur 18 vjet me radhë”.

Por kryetari i këshillit bashkiak, Sokol Dervishaj, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ashtu si dhe mbrëmjen e së martës e konsideroi të pavlefshëm rezultatin e votimit.

Ai argumentoi këtë qëndrim duke iu referuar rregullores së këshillit bashkiak, e cila parashikon se shpallja e rezultatit të votimit i takon vetëm sekretariatit.

Sokol Dervishaj: “Neni 19 i rregullores përcakton detyrat e sekretarisë së këshillit bashkiak, pika 2 e këtij neni sqaron se sekretaria ka këto detyra: Të njoftojë kryetarin për pjesëmarrjen e këshilltarëve në mbledhje, numëron votat e këshilltarëve që marrin pjesë në votim të hapur dhe i njofton kryetarit rezultatin e tij. Praktikisht kjo procedurë nuk është zbatuar sepse kryetari i bashkisë mori përsipër edhe detyrën e sekretarisë së këshillit, ndërkohë që në sallë u shkaktua një kaos dhe votimi nuk përfundoi.”

Krahas debateve të forta gjatë diskutimit të projektbuxhetit votimi u mbyll në një situatë kaotike pasi nga një procedurë teknike u kthye në një debat politik./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro