Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gara për kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama do të jetë e lehtë për t’u fituar nga kundërshtarët, por e vështirë me veten. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Tiranës, Rama ka shprehur bindjen e fitores së tij në mandatin e dytë, nga i gjithë kryeqyteti dhe zonat periferike të tij.

Fushata do të jetë një udhëtim i pa lodhur për kryebashkiakun, që do të prek çdo qytetarë. Edi Rama shpreh nevojën e patjetërsueshme për çdo kryeqytetas, të besojë premtimet e tij në fushatë.

Kryebashkiaku Edi Rama:- “Fushata jonë nuk mund dhe nuk mund të jetë një cikël koncertesh, fushata jonë nuk mund dhe nuk do të jetë një tiradë shpifjesh e sulmesh për kundërshtarët. Fushata jonë nuk mund dhe nuk do të jetë një lumë premtimesh të pambajtshme. Fushata jonë nuk mund dhe nuk do të jetë një fushatë inaugurimesh për efekt elektoral dhe as një fushatë me shpenzime të mëdha. Ne nuk jemi këtu as për të gënjyer fëmijët me tinguj e me karamele, as për të neveritur qytetarët me shpifje e me baltë dhe as për të gajasur kryeqytetin me premtime boshe, detyra që do t’i bëjnë më së miri kundërshtarët tanë”.

Rama u bënë thirrje të gjithë socialistëve, të angazhohen në fitoren e tyre, pa marrë parasysh qejfmbetjet.

Kryebashkiaku Edi Rama:- “Ngrihuni të gjithë nga çdo mosmarrëveshje dhe mbi çdo mosmarrëveshje, nga çdo hatërmbetje dhe mbi çdo hatërmbetje, nga çdo ambicie dhe mbi çdo ambicie, nga çdo xhelozi dhe mbi çdo xhelozi dhe bëhuni aq sa mundeni, lajmëtarë të misionit tonë historik, për të transformuar Tiranën dhe krejt Shqipërinë, në një rrugë që tashmë e kemi nisur dhe nga e cila nuk ka Zot në tokë që të na kthejë”.

Fushata do të nisë më 1 Shtator në orën 12 të ditës./tvklan.al