Mungesa e subvencioneve nga ana e shtetit në sektorin e bujqësisë ka qene një ndër shqetësimet e ngritura gjatë bashkëbisedimeve të kreut të socialistëve, Edi Rama, me bujq e fermerë në veri të vendit.

Gjatë takimit me banorët e fshatit Reç i Ri të komunës së Velipojës dhe atij Kosmaç në komunën e Bushatit, Rama e cilësoi të patolerueshme mungesën e respektit për fjalën e dhënë nga qeverisja aktuale sidomos në veri të vendit, ku varfëria dhe papunësia janë plagët më të thella dhe më të vështira.

Vetë banorët e këtyre zonave gjatë bashkëbisedimit me kreun e socialistëve kanë pohuar zhgënjimin e tyre dhe pamundësinë e nxjerrjes së fitimeve nga puna në bujqësi.

Edi Rama: “Këto zona i kanë dhënë për 17 vjet resht besim Partisë Demokratike dhe Sali Berishës dhe për 17 vjet resht kanë marrë në këmbim të besimit mungesën e respektit për fjalën e dhënë, mungesën e respektit për premtimet e bëra, mungesën e respektit për besimin e marrë”.

Rikthimi i mbështetjes financiare të qeverisë ka qenë një ndër premtimet që Rama u ka bërë banorëve të këtyre zonave, duke nënvizuar paralelisht dhe uljen e kostove të prodhimit bujqësor e blegtoral.

Edi Rama: “Është koha që ne përpara se të ndjehemi socialistë dhe demokratë të ndjehemi shqiptarë e shqiptare, të ndihemi qytetarë e qytetare, të ndjehemi vëllezër e motra që së bashku kemi integrim të madh t’u japim fëmijëve tanë atdheun që u kemi borxh, t’u japim fëmijëve tanë një atdhe ku papunësia dhe varfëria nuk vendos po ku vendosim ne.”

Ndryshimi i pritur nga shqiptarët që jetojnë me tokën është një premtim që Partia Socialiste do të realizojë me politika të reja për bujqësinë dhe zhvillimin rural./tvklan.al