Për ironi të fatit, sot i janë rikthyer edhe njëherë kutive të votimit dhe dy kandidatët për kryetar bashkie, Edi Rama dhe Spartak Ngjela, të cilët votojnë perkatesisht, në qendrat e votimit 1902, 1903, të dyja qendra të vendosura në shkollën “Pjetër Budi”.
I pari ka votuar Edi Rama, i cili ka ftuar edhe këtë ditë votuesit për pjesëmarrje masive në zgjedhje.
Edi Rama: “Duke shprehur edhe njëherë, në formë të përmbledhur, gjithe neverinë e grumbulluar gjatë gjithe kësaj periudhe, për ata që i shkaktuan votuesve të kryeqytetit këtë fyerje dhe këtë turp, unë jam i bindur se rezultati i 12 tetorit do të rikonfirmohet dhe përfitoj nga rasti të gjithe ata që duhet të rivotojne dhe ata që kanë ardhur për festat e fundvitit, të shkojnë në kutitë e votimit dhe t’i japin atyre, që e bënë këtë turp, shpullën e merituar me rastin e festave dhe t’i thonë, gezuar.”
Rreth 20 minuta më vonë ka ardhur për të votuar edhe kandidati demokrat, Spartak Ngjela.
Spartak Ngjela: “Kryesorja është betejë për votën e lirë, që do ta fitojmë, nuk mund të na vazhdojnë me gordhitë e antivotës, e para. E dyta, do të japim një mësim, këtë radhë drejt fitores përfundimtare të luftës. Kjo është deklarata ime, i bëj thirrje të gjithë votuesve të shkojnë sot të ndëshkojnë manipulatorin”.
Sot ka votuar dhe lideri i opozitës, Sali Berisha. Berisha sëbashku me bashkëshorten e tij ka votuar në qendrën e votimit 1951.
Sali Berisha: “Vota, 4 muaj pas zgjedhjeve, është dëshmi e pushtetit të dështuar, në një proces themelor siç është procesi zgjedhor. Tirana është i vetmi kryeqytet i Europes dhe i planetit, që zhvillon zgjedhje të tilla dhe kjo për shkak të manipulimit të tyre nga qeveria dhe KQZ-ja e qeverisë.”/tvklan.al