Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ekipi i vajzave të basketbollit të Universitetit të Tiranës, do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar sportiv, i cili këtë vit do të zhvillohet në Turqi. Studentet e fakulteteve të ndryshme të cilat prej tre vjetësh bëjnë pjesë në këtë ekip basketbolli, marrin pjesë për herë të parë në një eveniment kaq të rëndësishëm ndërkombëtar.

Studentja 1: “Pretendojmë që të shkojmë të përfaqësohemi sa më denjësisht atje dhe për këtë jemi përgatitur, kemi tre javë që përgatitemi, bëjmë një stërvitje intensive dhe mendojmë që do të dalim me sukses”.

Studentja 2: “Pjesëmarrja për ne është goxha e rëndësishme, pasi ne jo vetëm përfaqësojmë jetën sportive të universitetit, por gjithashtu përfaqësojmë edhe vendin tonë Shqipërinë”.

Shezai Rrokaj: “Unë jam shumë i kënaqur, se ky është një përfaqësim, sido që të jetë edhe modest, por prezanton Universitetin e Tiranës dhe universitetin shqiptar në tërësi. Shpresoj që herë të tjera ne do fitojmë edhe përvojë më shumë dhe do të bëjmë gjëra edhe më të mira”.

Udhëtimi i ekipit të studenteve për në Turqi bëhet i mundur nga sponsorizimi i kompanive Deka dhe Glina./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka