Ndonëse e varfër në shumicën e rasteve, institucionet kryesore artistike të kryeqytetit ofrojnë disa shfaqje si për fëmijët ashtu dhe për të rriturit. Në Teatrin e Operas dhe Baletit nesër në mbrëmje në ora 18:00 vihet në skenë baleti “Don Kishoti”.Ndonëse jo premierë, vazhdon të ngjallë interes për publikun. Estrada e Tiranës nga aktori Met Bega të Enjten ofron shfaqjen “Stop. Erdhi Meti”.

Në Teatrin e Kukullave për fëmijët shfaqet pas një viti ndërprerje “E bukura dhe bisha”. Ndërsa Cirku nga ora 10:00-11:00 do të ketë numrat më të mirë të zgjedhur nga artistë të këtij institucioni.

Në Teatrin Kombëtar shfaqet “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”. Në rolet kryesore janë Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe Andon Qesari. Akademia e Arteve në Tiranë mesa duket ka vendosur të jetë iniciatore për të rinjtë në të gjitha mjediset e saj. Nëse dje organizohej konkursi i muzikës franceze, Dekanati i Arteve Figurative hapi një ekspozitë me punët më të mira të studentëve të tij.

Kështu në Galerinë e Akademisë së Arteve janë ekspozuar piktura të 20 studentëve të cilët variojnë nga rrymat e surealizmit e deri tek arti kontemporan. Kjo ekspozitë do të qëndroje e hapur për publikun dhe gjatë ditëve në vazhdim./tvklan.al

Gazetar : Altin Hazizaj