Ministri i Brendshëm: Udhëtoj pas disa javësh drejt Emirateve të Bashkuara

Teksa Dubai është bërë një strehë për personat që kanë probleme me drejtësinë, qeveria shqiptare po intesifikon përpjekjet për të nënshkruar një marrëveshje ekstradimi. Ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi se brenda pak javësh do të udhëtojë drejt Emirateve të Bashkuara për ta finalizuar.

“Ne po punojmë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe për të pasur sa më shpejt një marrëveshje ekstradimi. Pas disa javësh do jem zyrtarisht atje për t’u takuar me autoritetet më të larta, qoftë me Ministrinë e Brendshme apo të Drejtësisë, për të finalizuar një marrëveshje që na mundëson që edhe ky vend të mos jetë oaz shpëtimi.”

Ndër të tjera ministri tha se do të ndryshohet edhe ligji për Policinë e Shtetit dhe se drafti do të hidhet brenda pak ditësh për konsultim publik.

 “Ligji i ri i Policisë së Shtetit duhet të garantojë një dinamizim të karrierës brenda Policisë së Shtetit. Duke i dhënë mundësi meritokracisë që të jetë dimensioni kryesor i të bërit karrierë, duhet t’u garantojmë çdo punonjësi të ndershëm, profesionist të Policisë të bëjë karrierë.”

Ministri paralajmëroi dhe ndryshime në Kodin Etik, ku tha se duhet të shtohen disa ide novatore.

Klan News