Këto janë momentet kur Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe mbërrijnë në tokën shqiptare, duke u bërë kështu të shumëkërkuarit e parë që ekstradohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Prej vitesh në arrati nga drejtësia shqiptare, Dervishaj dhe Meçe, siç mund t’i shihni në foto, kanë pësuar ndryshime të shumta në pamje.

Ata ishin arrestuar më parë nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara, aty ku u lokalizuan falë Interpol Tirana. Ishin pikërisht këta të fundit që bindën autoritetet atje për të marrë dritën jeshile për ekstradimin e dy eksponentëve të rrezikshëm të botës së krimit.

Ndaj Plarent Dervishajt janë ngritur disa akuza nga Prokuroria e Posaçme. Mes ngjarjeve për të cilat ai akuzohet është vrasja e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit në vitin 2005. Në këto ngjarje, Dervishaj ishte pjesmarrës thotë SPAK, ndërsa në atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja në 2019, ai ishte në rolin e porositësit.

Mes personave të kontraktuar ishte Julian Meçe. Ky i fundit dyshohet si një autorët e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku dhe u plagos vetë Arjan Ndoja dhe Aleksandër LAho.

Po këtë të mërkurë, autoritetet shqiptare përmes Interpol Tirana arritën të ekstradojnë në Shqipëri një tjetër person të kërkuar nga SPAK. Bëhet fjalë për Fabio Ballabanin, i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme se me urdhër të Emiljano Shullazit ka dhunuar bashkëshortin e GJKKO, Saida Dollani.

Krahas operacioneve për ekstradim, drejtësia shqiptare mori sinjale pozitive për ekstradimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë.

Ishin pikërisht autoritetet atje që dhanë aprovimin për vënien e tij përpara drejtësisë, vendim ky që ende nuk ka marrë formë të prerë pasi, Lulzim Berisha ka mundësinë e apelimit të saj.

Tv Klan