Është ekstraduar nga Gjermania 29 vjeçari Ardian Pikli, i akuzuar nga GJKKO për pjesëmarrje në grup kriminal dhe posedim të armëve të zjarrit. Masa ndaj të riut është caktuar në Maj 2024.

Sipas gazetarit të Klan News Besar Bajraktaraj, Pikli është ish-punonjës i RENEA-s i cili dyshohet si i përfshirë në trafikun e armëve. Emri i tij rezulton në mesin e 50 urdhër arresteve të operacionit “Revanshi”.

“Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i akuzuar nga GjKKO, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për posedim të armëve të zjarrit. Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u ekstradua shtetasi A. P., 29 vjeç. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar. /tvklan.al