Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Numri i të rinjve kandidatë për studentë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të qytetit të Elbasani, ka arritur në shifra të larta dhe të paparashikuara. Deri tani janë regjistruar 2 mijë kandidatë dhe sipas parashikimeve nga dega mësimore e këtij universiteti pritet që ky numër të shkojë deri në 4 mijë.

Kandidatët do të konkurrojnë në 17 degë të ndryshme në 5 fakultete të këtij universiteti. Gjatë këtij viti janë hapur dhe tre degë të reja, si dega e Gazetarisë, Ekonomikut dhe Punonjësit Social.

“Fluksi i regjistrimeve këto ditë ka qenë i mirë mund të themi dhe në këto 5 ditët e para ka arritur mbi 1300 kandidatë të regjistruar. Edhe këto degë të reja janë me mjaft interes. Shumë janë regjistruar për Punonjës Social dhe për Gazetari. Janë marrë të gjitha masat që regjistrimet të vazhdojnë çdo ditë dhe nuk kemi pasur anomali në këtë drejtim”.

Nga i gjithë numri i kandidatëve që pritet të konkurrojnë për këtë vit akademik, do të pranohen vetëm 1620 studentë./tvklan.al