Viti 1953, viti kur nga Bashkimi Sovjetik vjen lajmi i vdekjes së liderit komunist Stalin, do të jetë sonte në kalendarin e programit “Histori me Zhurmues”. Janë vitet kur taktika e njërit prej diktatorëve më të mëdhenj të shekullit ka filluar të imitohet me përpikmëri edhe në vendin tonë. Pushkatime në masë, lufta e klasave, burgimet dhe internimet të gjitha zbatohen sipas modelit të njohur sovjetik dhe këtë herë për të parën herë ju do të keni mundësinë të njihni njërën prej qindra fakteve.

Historinë tronditëse të Ndue Vuksanit, të ashtuquajturit kulak, i cili fillimisht u dënua me 25 vjet burg dhe të nesërmen me pushkatim. Pasoja tragjike të familjes së tij, përballja për herë të parë e të birit Rrok Vuksani, me kronikën filmike të gjyqit të të atit.  

Pandi Laço: “Ju keni një imazh të babit. Ne këtu kemi një material filmik, nuk e di në qoftë se doni ta shikoni apo jo?

Rrok Vuksani: “Tashi meqë kam ardh këtu, edhe pse e shoh dëshirën e kisha me e pa ishtu edhe me e majtë në kujtesë siç është. Por edhe pse e shof ashtu, se ka bo një hetusi tepër të rëndë e kam frikë se do ketë shumë transformim”.

Një dëshmi e rrallë dhe e rrëfimit të kushëririt të Ndue Vuksanit, që nuk arriti dot ta shpëtojë atë nga vdekja.

“Një ndër ata, e ka çunin sot gjallë i thotë, Gjon nuk mund të eci se i kam komët e coptume. Thotë duro edhe 2 minuta se po të shëndoshen. Aty kanë marrë vëllanë e Mark Mirit dhe i kanë çu drejt aty ku kanë vra Babë Rexhën, edhe i kanë pushkatu të tanë sigurisht me automatik e me ç’kanë pas”.

Një tjetër histori do të jetë ajo e balerinës së famshme shqiptare Adivije Sharofi Alibali, e përzgjedhur mes dhjetëra vajzave për rolin e Mamicës në filmin e vitit 1953 “Skënderbeu” nga kulmi i suksesit dhe nga një familje e lumtur në ferrin e internimit në Labovë të Gjirokastrës. Një tjetër fat tragjik, një tjetër histori e pa besueshme do të jetë në programin e kësaj mbrëmjeje.

Adivije Alibali Sharofi: “Ne na çunë sikur kishim bërë atentat Enver Hoxhës, në vendin jo bodrum, aur ku rrishin kafshët”.

Por dhe historia e Ali Babës, siç e quajnë sportistët masazhatorin dhe fizioterapistin e njohur Ali Kastrati.

Ali Kastrati: “Unë masazhin e kam filluar në ’41-shin. Atëherë mbarova të ultën mjekësore. Met Dibra, më thojte do të bëhesh edhe masazhator. Ai më thonjte”.

Një jetë e përkushtuar kulturës fizike, si fillojë sporti i boksit në Tiranë dhe në klubin Partizani, por edhe të tjera detaje nga historia e sportit tonë. Gjithashtu në skaletën e vitit 1953./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi