“Histori me Zhurmues” do të ndalet në emisionin e sotëm në vitin 1951 dhe incidentin e bombës në ambasadën sovjetike që çoi para tokës së pushkatimit, pa gjyq 22 persona. Plenumi i 9 i komitetit qendrorë të partisë me 3 mars apo arrestimi i 26 kuadrove të policisë një ditë më pas do të jenë më të qarta për shikuesit e TV Klan.

“Nuk e di sepse ma nite zemra ndoshta. Kisha dëshirë që.. i them babës të lutem babë, a mundem me hangar edhe unë bukë me ju? Të rrijë më vonë se fëmijët e tjerë? Fëmijët e tjerë shkund me fjet, unë nejta hongra me të mëdhenjtë. Sikur taman darka e fundit paska kenë dhe ashtu doli, darka e fundit”.

Tregimtarë të programit të sotëm do të jenë familjarë të viktimave me një histori të pa treguar më parë. Fakte nga vrasja e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Sali Ormeni, pikëpyetjet janë të shumta. Arratisje, tentativë për vetëvrasje apo likuidim nga vetë shteti? Dritë mbi këtë ngjarje do të hedhë rrëfimi i ish-ushtarakut Xhemal Imeri.

Xhemal Imeri: “Në vjeshtën e vitit ’50, Saliu shkon në zonën e tij elektorale, e gjen popullin shumë të vobektë, e gjen pa bukë. Erdhi ju raportoi të mëdhenjve, po ka të ngjarë t’i … njeriun që ka rënë në prehrin e armikut. Edhe i thonë meqë ke shumë plagë, rri, vazhdo punën po ki kujdes për herë tjetër”.

Një dëshmitar kyç, është shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Amik Kasaruho, që na kthen sërish në atë ngjarje ku ju vra i ati.

Amik Kasaruho: “Një ditë tellalli i burgut, thërret emrin tim edhe thotë te hekurat, hajde me mua. Hapim dyert njërën, tjetrën më vënë prangat se natyrisht meazallah se mund të bëheshin 2 hapa pranga nëpër duar dhe më zbritën poshtë, ku ishin, ishte komanda, një dhomë me 5-6 polic brenda. Kishte ardhur çupa e hallës, bëhu i fortë thotë, të ka vdekur babi”.

Një ngjarje plot anë të errëta, që do të jenë të qarta pas fakteve dhe pamjeve filmike, që do t’i ndiqni sot në mbrëmje në “Histori me Zhurmues”, në TV Klan./tvklan.al