Vazhdon udhëtimi në kohë dhe në histori me programin “Histori me zhurmues” që sonte do të qëndrojë në ngjarjet e vitit 1968. Një vit pas ngjarjeve dramatike që ndodhën në vendin tonë siç ishte, tërmeti në zonën e Dibrës dhe Librazhdit, lufta kundër fesë, Shqipëria del nga pakti i Varshavës dhe kjo merr formë të prerë me ngjarjet në Pragë, ku Bashkimi Sovjetik sulmon Çekosllovakinë, duke përdorur forcat ushtarake të Traktatit të vendeve të lindjes.

Dëshmia e atasheut tonë tregtar në Çekosllovaki në ato vite, Vasil Lato, se çfarë përjetuan njerëzit e ambasadës kur Shqipëria ishte i vetmi vend që reagoi kundër ndërhyrjes së ushtrisë së Traktatit pas pranverës së Pragës.

Vasil Lato: “Në orën 5 të mëngjesit mbërritën tanket edhe u vendosën në të gjithë trotuarin e ambasadës gjithandej, por ne shikonim ato që kishim para syve. U ndërprenë dhe dritat, e të tërë do shtetrrethim kjo punë. Pastaj mbetëm ne atje të bllokuar rreth 2 javë nuk dilnim dot fare nga dera, gjithë dyqanet të mbyllur se edhe kishin frikë çekët edhe do me thënë nuk donin që t’i jepnin ushqim ushtarëve sovjetik.” 

Vajzat e para shqiptare që u hodhën me parashutë do të jetë një tjetër moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje ku pedagogia dhe mjeshtrja e sportit Flora Shqevi së bashku me disa studentë të Institutit të Lartë “Vojo Kushi” vendosën të krijojnë një sport të ri, atë të hedhjes me parashutë.

Flora Shqevi: “Pranë institutit kishim fushën e aviacionit, shikonim që ngriheshin aviona, uleshin ishte reparti i parashutizmit pak më tutje dhe vendosëm që të shkojmë të bisedojmë me repartin me drejtuesit dhe mbase do të na mbështetnin. Kështu u mor iniciativa, biseduam me drejtorinë e shkollës, ata në fillim hezituan pastaj me këmbënguljen tonë pranuan dhe ata për ta bërë realitet këtë iniciativë.”

Gjithashtu historia e njërit prej futbollistëve të talentuar të atyre viteve, vlonjatit Mexhid Haxhiu, mes episodeve paradoksale të futbollit, sa ndikonte politika në sport, endja e tij e gjatë në disa prej klubeve shqiptare, momentet me Partizanin, kombëtaren dhe mbyllja e karrierës më Flamurtarin.

Duke shpluhrosur edhe sonte kronika të pa transmetuara më parë në mediat vizive prej Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, televizioni kombëtar Klan shfleton përpara të gjithë teleshikuesve fletë të “Histori me zhurmues-1968”./tvklan.al