Aida Shtino: “Të nderuar miq, bashkatdhetarë kudo që ndodheni, teleshikues të emisionit tonë pikërisht në momentin që ne kishim humbur shpresat dhe ndoshta mendonim se me këtë vajzë diçka kishte ndodhur duke pasur frikë për jetën e saj, pikërisht në këtë moment Manushaqe Metollari u bë e gjallë.”

Mbrëmja e djeshme në TV Klan solli takim të veçantë dhe të mbushur me surpriza me emisionin “Njerëz të humbur”,lajtmotivi i së cilës ishte fjala gjetje.

Rasti i Manushaqe Metollarit ishte gjetja e parë e publikuar këtë të premte. Që prej Shtatorit 2007 duke u përpjekur të arratiset nga një martesë e dështuar Manushaqe humbjet lidhjet me familjen e saj.

Moria e dëshmive nga shumë shqiptarë në Greqi, të mbërritura një javë më përpara, e kthyen gjendjen e saj në çështje kohe dhe brenda një javë “Njerëz të humbur” sigurojnë atë bisedë të shumëuruar të Manushaqes me prindërit e saj.

Zhvillimet më të fundit rreth rastit të Petrit Lekëdukajt të japin bindjen që jemi drejt një gjetje të sigurt.

Një shembull klasik i jetës së emigrantëve shqiptarë, i hedhur andej-këndej si një marionetë në rrugëtime pa destinacion.

Disa shtete të Evropës ishin stacione drejt asaj që rëndom e quajmë një jetë më të mirë.

Ishte viti 2002 kur Petriti humbet lidhjet me familjarët e tij. Hetimet e bëra nga kryekorrespondentja ynë në Gjermani sjellin më shumë se optimizmin e një gjetje të afërt.

Aida Shtino: “A është Petriti?”

“Petriti”.

Aida Shtino: “Është Petriti?”

“Po, po Petriti është, pavarësisht se tash është bërë një moshë e madhe, Petriti është. U bofshi 100 vjeç e qofshi një jetë të gjatë tan gazetarët ku jeni brenda dhe jashtë”.

Një gjurmim në një të shkuar të largët, të zbehur nga përplasja e ndjenjave me konformizmin e atij sistemi solli rasti i Fatjon Barbaricës.

Një djalë i bërë burrë në kërkim të atij që kurrë nuk e thirri baba. Shumë telefonata të marra mbrëmjen e shkuar përcolli informata të vyera.

Edhe për këtë rast një tjetër histori e prezantuar, mirëpo nga Kosova. Luljeta Kryeziu në kërkim të babait të saj, ndonëse ajo çka mban mend prej tij janë thjesht kujtime të trishta, malli për gjënë më të dashur që i ka mbetur në këtë botë e shtyu atë të vinte dhe ta kërkonte tek “Njerëz të humbur”.

Gjetje të tjera të radhës është premtimi i “Njerëz të humbur” për javët në vazhdim. Na ndihmoni t’i gjejmë!/tvklan.al

Gazetar: Lori Pyze