Ashtu siç kishte paralajmëruar në orën 09:00, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ekipi qeveritar që e shoqëronte dhe përfaqësues të medias, Edi Rama zbriti në Aeroportin “Eleftheros Venizelos” për të nisur ndalesën e parë me komunitetet shqiptare të Europës, nga Greqia.

Për shkak të polemikave të shumta që ngjalli vizita e tij në Athinë, shoqërimi i Kryeministrit shqiptar, i cili u prit nga emigrantë në aeroport u bë nën masa të rrepta sigurie.

Në stadiumin “Galatsi” mes flamujve shqiptarë e atyre të BE-së, nën tingujt e këngëve patriotike dhe himnit kombëtar, i’u rezervua mirëseardhja nga emigrantët e Greqisë që kishin mbushur sallën e “Christmas Theatre.”

Një pritje që s’e fshehu as vetë, e që e bëri të ndihej më shumë se krenar.

“Faleminderit nga zemra për këtë mikpritje kaq prekëse. Ju jeni bërë shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e krenarisë tonë në këtë pjesë të Evropës.”

Fjalimin e tij e nisi jo rastësisht me një mesazh ndaj kritikëve që aluduan se kjo vizitë ishte ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë.

“Disa këtu në Greqi u çuditën. Të tjerë u mërzitën. Ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju. Por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallen me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barazvlefshëm të Greqisë demokratike në Europën demokratike ku shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur nga malet, por janë përfaqësuesit e një vendi krenar që është Shqipëria jonë”.

Komshinjtë i qetësoi se Shqipëria nuk krijon asnjë telash, duke i garantuar se vendi i tij nuk ka asnjë pretendim territorial, veç kujdesit reciprok.

“Shqipëria nuk i krijon asnjë telash, por i krijon kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje dhe pastaj vjen humb zgjedhjet këtu. Shqipëria s’ka asnjë interes tjetër veç marrëdhënieve reciproke të fqinjësisë së mirë, dhe jo vetëm kaq por Shqipëria e sheh Greqinë si partner strategjik, qoftë për çështjet për t’u zgjidhur, mundësisht edhe kërcënimet ne i shohim si arsye madhore për të gjetur zgjidhjet mes dy palëve për t’u projektuar bashkarisht në të ardhmen, duke forcuar lidhjet me njëri-tjetrin”.

Athinën zyrtare e siguroi se respektimi i minoriteteve është model në vendin e drejtuar prej tij, teksa tha se çështja e pronave vijon të jetë një problem me të cilin përballen edhe bashkëkombasit e tij.

“Në asnjë rast një grek etnik në Shqipërinë e të paktën 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall apo problem për shkak të kombësisë së tij. Kurrë, asnjëherë, në asnjë rast, grekëve etnikë nuk iu është mohuar arbitrarisht nga shteti shqiptar e drejta e tyre e besimit, e drejta e tyre e gjuhës, e drejta e tyre e pronës. Kurrë, asnjëherë, në asnjë rast qytetarëve grekë të Shqipërisë nuk u është mohuar nga shteti shqiptar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike.

Dhe nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë, nga Tropoja në Konispol, nga Shkodra në Korçë, nga Dibra në Durrës e kush nga ju që ka një shtëpi apo një tokë nga ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë për 1001 arsye, mund të thotë të kundërtën, që ky problem është një problem i Shqipërisë dhe nuk është një problem vetëm për grekët e Shqipërisë. Që të kërkosh dhe të zbulosh raste të tilla duhet të gërmosh në qerthujt më të errët të kulturës nacionaliste ku nuk ka asnjë kufi mes historisë dhe miteve, fakteve dhe paragjykimeve, dokumenteve zyrtarë dhe artikujve të porositur”.

Duke rrëfyer kalvarin e emigrantëve shqiptarë për të fituar të drejtat e tyre, Edi Rama iu përvesh jo pak në fjalimin e tij atyre që në Greqi e kanë vënë në shënjestër të akuzave për mosrespektim të minoritetit greke në Shqipëri.

“Ju vëllezër dhe motra erdhët në këtë djep të civilizimit të vjetër të Greqisë së lashtë për t’i ikur gërmadhave të regjimit komunist dhe mallkimit të tij të varfërisë më ekstreme. Kapërcyet malet. Fjetët nëpër parqe, nëpër kisha, nëpër stola rrugësh. Dolët pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe si kuaj në pazarin e gjësë së gjallë, afendikonjtë që iu merrnin për një punë të zezë krahu. Gjakosët duart dhe dërrmuat kurrizin me punët më të rënda! U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy a tre punë në ditën që nuk mbaronte duke e zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy vakteve të pangrëna!

Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me dhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë. Shumë ndër ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë.

Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijët të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit dhe faj i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhë por, ja ku jeni. Ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi nën këtë qiell, por asnjë fuqi apo padrejtësi e kësaj bote nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu”.

Në mes të Athinës, Kryeministri i kërkoi homologut të tij grek, Micotakis abrogimin e ligjit të luftës, sikundër Greqia e ka bërë me Italinë.

“Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat të ri miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë? Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur sa dhe si kemi mundur, që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve tona, ashtu sikundër jemi përpjekur që t’i adresojmë sa më drejtë me dialog, me mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes dy shteteve tona, sepse unë kam bindjen e palëkundur, që nëse ka vullnet të mirë dhe vendosmëri reciproke, të gjitha mosmarrëveshjet e trashëguara mund të zgjidhen pa pritur që të kalojnë dhe 84 vite të tjera.

E vërteta është, miqtë e mi se tek kryeministri aktual i Greqisë unë kam gjetur bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre 10 viteve. Nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që megjithëse bashkëbiseduesi im i sotëm në pallatin Maximus është më i hapuri dhe më i interesuari për ta mbyllur kapitullin e çështjeve të mbartura, puna për zgjidhjen e tyre ka ecur ngadalë dhe ka ngecur herë pas here. Megjithatë unë kam besim dhe kjo nuk është një fjalë e bukur diplomatike, realisht kam besim se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë, është e gjitha përpara”.

Por duket se pengesën më të madhe, Edi Rama e ka hasur tek e majta greke në avancimin e çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve, teksa e vlerësoi kontributin e kryeministrit grek për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve.

“Është e pamundur mos ua them, se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke, unë e kam pasur shumë të vështirë t’i kuptoj, përveçse si luftë të brendshme politike, por s’është as puna ime t’u jap atyre mend edhe pse në fakt jemi në një familje politike europiane dhe edhe mend mund t’u japim njëri-tjetrit, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër kur edhe në Shqipëri ne kemi një opozitë që bën ekzakt të njëjtën gjë”.

Ndaj dhe në mungesë të një bashkëpunimi me të majtën greke, mesazhin sërish ai adresoi Kyriakos së Demokracisë së Re, të cilit zgjodhi t’i drejtohet me fjalët e poetit kombëtar Naim Frashëri, i cili në 1886 shkruajti në greqisht vjershën “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”.

“Në emrin tuaj dua t’i lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë Naim Farshëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, dëshira e vërtetë e shqiptarëve, duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar, është koha e miqësisë dhe lirisë, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë, rroftë Shqipëria, rroftë Europa demokratike”.

Përpara emigrantëve foli jo vetëm për transformimin e vendit të tij, por edhe për Shqipërinë e 2030, duke kërkuar ndjesë për gabimet që tha se mund të kishte bërë në rrugëtimin e tij politik.

“Ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë, por kurrë, në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe njëherë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë sesa të udhëheqë vendin e tij prandaj nuk ka forcë materiale në këtë botë, fuqi politike, ekonomike, financiare, individ apo shtet që, mos o zot, më josh a më detyron dot mua të përkulem për të përfituar për veten pas shpinës suaj, për të cënuar interesat publike dhe private të shqiptarëve që unë nuk i njoh, por e di shumë mirë që ata më njohin mua apo për të përkulur majat e paprekshme të interesave kombëtare të Shqipërisë. Falë jush, kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe unë nuk besoj që do të kem një më të bukur se kjo”.

Nga ky takim se fshehu krenarinë që mori duke u ulur në gjunjë para sallës së mbushur me shqiptarë në Athinë.

Pas takimit të Athinës, Kryeministri Rama pritet të takohet edhe me shqiptarët e Milanos, Londrës e Dyseldorfit.

Tv Klan