Kryeministri Edi Rama ka shprehur falenderimin për emigrantët shqiptarë në Itali që morën pjesën në takimin Milano këtë të dielë.

Në një postim në Facebook, Kryeministri Rama tregoi edhe bisedën me autoritetet italiane të sigurisë në sallën që ishte mbushur me shqiptarë.

Faleminderit është fjala e rastit, po që në këtë rast nuk e thotë dot as së largu ndjenjën krejt të veçantë të kësaj dite të jashtëzakonshme shqiptarie në Itali.

Përulësisht mirënjohës për emocionin e paharrueshëm dhe përulësisht ndjesë mijërave që mbetën pa u futur dot në sallën, që u mbush tej kapacitetit.

Nuk do t’i harroj as fytyrat e shqetësuara të autoriteteve të sigurisë, që kishin frikën e ndonjë hataje nga mbingarkesa e shkallëve, teksa njerëzit kërkonin të hynin akoma më shumë.

Ç’të bëja, u thashë qetësohuni, ne jemi ata të maleve mbi anije, as nuk kthehemi dot mbrapa as nuk na ndalon dot gjë të vazhdojmë përpara. E marr me mend ç’menduan, po s’po e them, rëndësi ka që kur u krye filluan të qeshin edhe ata. Shumë shumë shumë faleminderit”, ka shkruar Kryeministri.

Më shumë se 4 mijë emigrantë morën pjesë në takimin e Kryeministrit Rama me emigrantët shqiptarë në Itali, i dyti pas Greqisë.

Ndalesa e radhës është Britania e Madhe dhe në fund Gjermania.

/tvklan.al