Një maratonë kërkimesh prej 6 orësh, fate të trazuara dhe shpresa të ringjallura në studion e “Njerëz të humbur”. Gati 200 telefonata ka pritur çdonjëri prej 8 gazetarëve prezent në studio, duke marrë orientime për rastet e paraqitura.

Ka qenë një start i mirë për familjarët e Ardian Golemit 40-vjeçari nga Shkodra i humbur që në vitin 1990. Pas 18 vitesh një dritë e re shfaqet për ekzistencën e tij në Angli.

Bernard Pecnikaj: “Thuhet se personi i ngjashëm me Ardian Golemin shihej shpesh herë në Londër, biles jepej një detaj interesant, sipas të cilit qëndronte me disa shtetas egjiptian. Ishte një lokal i mirënjohur nga shqiptarët e Londrës dhe shpeshherë shihej nën shoqërinë e tyre.”

Aida Shtino: “Edhe njëherë për çfarë vitesh, për çfarë kohe bëhet fjalë?”

Bernard Pecnikaj: “Atëherë bëhet fjalë për vitin 2007.”

E gjithë Shqipëria në mbrojtje të vrasësit, i tillë ka qenë opinioni i mediave zvicerane për emisionin “Njerëz të humbur”, të cilët duan të ndalojnë me çdo kusht publikimin dhe gjetjen e 24-vjeçares kosovare Besarta Gecaj. Që nga viti 1999 familja e saj po vuan pasojat e një hakmarrje për çështje nderi.

Aisa Shtino: “Historia e Besarta Gecaj ka bërë shumë bujë në mediat zvicerane. Dua t’ju them se një goditje të madhe pra ka marrë gjithë opinioni, gjithë emigrantët shqiptarë të cilët jetojnë në Zvicër, pikërisht me këtë histori dhe ndoshta ka ardhur momenti  dhe koha që kjo histori të zbardhet dhe të merret vesh se ku ndodhet Besarta dhe çfarë është bërë me të.”

Bernard Pecnikaj: “Përsëri ne patëm një revansh të jashtëzakonshëm nga shteti zviceran. Nëpërmjet prokurorisë shqiptare nga u dërgua një shkresë zyrtare, një urdhëresë, sipas së cilës emisioni “Njerëz të humbur” nuk duhet të publikonte më rastin e  Besarta Gecajt.”

Duke qëndruar prapë në Angli të tjera informacione janë marrë për djalin vlonjat Altin Zekaj. Historia e tij ka marrë përmasa tejet të mëdha duke ngritur në këmbë të gjithë komunitetin shqiptar në Londër.

“Jemi në verifikim të një supermarketi turk, ku pronari i lokali tdhe gjithë punëtorët që punojnë në këtë lokal thonë që Altin Zekaj ka jetuar këtu në një shtëpi krejt afër lokalit.”

Ndihmesa e emigrantëve ka qenë tejet e madhe për familjarët e Behar Tushaj. Të cilët gjatë emisionit dha një numër të tij dhe vendndodhjen e mundshme në Kanada.

Lori Pyze: “Një zotëri ka pohuar se e ka parë dhe ka kontaktuar me vetë Beharin në një shoqatë që është e organizuar nga Shqiptarët, pra në Kebek të Kanadasë, të quajtur Prizreni dhe karakterizohet nga një bashkëpunim për të gjitha punët dhe jetesën atje në Kanada. Kujtojmë se ëndrra e Behaj Tushaj ka qenë pikërisht Kanadaja.”

Megjithëse një ngjarje e hershme një histori 37 vjeçare për Ylli Malaj janë dhënë shenjat e para të jetës. Nëpërmjet personave të tjerë ai merr guximin të shfaqë sado pak vetveten.

Aida Shtino: “Kemi lajm të mirë shumë për Ylli Malaj, ndoshta pas 37 vitesh. Unë i falënderoj të gjithë ata shqiptarë patriotë siç e tha edhe zotëria të cilët kanë ndjekur dhe ndjekin në këto momente emisionin tonë. Dhe pikërisht lotët e vëllezërve të Yllit dhe motrës së tij e kanë bërë që ndoshta të thyejnë atë akull 37 vjeçar që e ka ndarë Ylli Malaj nga familja e vet.”

Ervin Blashi, djali nga Fushë-Kruja i rrëmbyer në vitin 1998. Ka thyer heshtjen një peson i cili dyshohet të jetë vetë Ervini. E veçanta ishte se ai ka ndjekur direkt transmetimin e emisionit dhe lotët e së motrës në studio.

Motra e Ervinit: “Faktikisht lotët nuk është se tregojnë gjithçka. Megjithatë tregojnë një pjesë shumë të madhe të asaj që ndjen. Një nga ata shakatë e tija ishte që më thoshte sa të peshojnë flokët dhe a nuk të rëndojnë në kokë. Faktikisht flokët nuk është se rëndojnë, por që Vini ta dijë që ajo që rëndon më shumë është dhimbja që kemi përjetuar gjithë ne dhe mungesa që kemi ndjerë gjithë këto kohë. Dhe do donim shumë që të kontaktonim, do me thënë ta takonim do ishte ëndërr.”

Çështje të lëna përgjysmë e shumë të tjera drejt përfundimit. Njerëz të humbur premton të sjellë emocione të forta në takimin e ardhshëm të premten në orën 21 në televizionin Klan./tvklan.al