Megjithëse me një programacion të ngjeshur, teleshikuesit e televizionit Klan patën mundësi  të ndiqnin deri në orët e para të së shtunës emisionin “Njerëz të humbur”. Një mbrëmje që hodhi më shumë drite në fatin e personave të zhdukur. Një vëmendje e veçantë kushtuar rastit të profesorit të shquar Ukshin Hoti, gjigandit të mendimit mbarë shqiptar. Të tjera dëshmi dhe fakte interesante ju përcollën stafit të Njerëz të humbur nëpërmjet rrugëve të komunikimit të vëna në dispozicion.

Të rejat nuk munguan as për historinë e djalit shkodran Gjergj Gjon Ndrekaj, një pistë tjetër e cila përqendron kërkimet tona në Francë u diskutua si mundësi për vendosjen e 38-vjeçarit. Megjithatë emigrantët shqiptarë nga Italia këmbëngulën në telefonatat e tyre për një pjesë të mundshme italiane.

Vladimir Miri 14 vite harresë të lëna pas nga një jetë e re, larg prindërve të tij. Telefonata direkte me motrën e Ladit dhe kryekorrespondentit të “Njerëz të humbur” në Greqi, shtjelluan akoma më shuam historinë e Vladimirit.

Rasti urgjent i djalit 14 vjeçar Elis Fusha, ndërpreu rrjedhën normale të emisionit. Një djalë fisnik largohet nga familja në një aventurë adoleshenciale. Kërkimet e bëra në kohë reale ngushtuan rrathët e vendndodhjes në Vlorë. Shumë persona që telefonuan dëshmuan që e kishin parë atë në lokalitete të Vlorës dhe gjetja e Lisit të vogël nuk vonoi. Në mesditën e së shtunës, falë ndihmës së “Njerëz të humbur”, forcat e rendit arritën t’i japin fund kësaj aventure që frikësoi jo pak familjarët.

Një gjetje e beftë solli gëzim në familjen Baholli. Pas shumë vitesh të shurdhët, Ganiu telefonoi nga Spanja familjarët e tij. Një tjetër histori e trajtuar e mbyllur me një punë të lumtur.

“Njerëz të humbur” edhe në sajë të ndihmës së shqiptarëve kudo që ndodhen premtojnë kthimin e akoma më shumë shqiptarëve në familjet e tyre, na ndihmoni ti gjejmë./tvklan.al