Dita e sotme është mbushur me trishtim për Endri dhe Stefi Priftin. Dy vëllezërit korçarë, artistë të dashur të skenës, kanë humbur babain. Lajmin e kanë bërë të ditur vetë ata përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale.

Në njoftim, ata shprehen me dhimbje se nuk kanë asnjë kujtim me të e kjo është e dhimbshme për ta. Pa hyrë në detaje, vëllezërit rrëfejnë shkurtimisht se janë rritur e shkolluar vetëm nga nëna e tyre.

Përshëndetje familjarë, shokë, miq dhe fansa të kësaj faqeje të madhe!

Ju bëjmë me dije se sot dt 12.6.2024, ndërroi jetë babai jonë Serafin Prifti.

Sido ka shkuar marrëdhënia jonë familjare, përsëri gjaku nuk bëhet ujë. ADN-ja jonë ka 50% të gjakut të tij. Ne nuk kemi asnjë kujtim me të… asnjë foto! E dhimbshme, por e vërtetë.

Për shumë njerëz ndoshta duket i çuditshëm ky fakt, por ashtu rrodhi jeta jonë me njeriun që na bëri kokën! Ne jetuam, u rritëm dhe u shkolluam me nënën tonë heroinë, që sakrifikoi jetën e saj për të tre ne, fëmijët e kësaj martese.

Nuk dua të shkruaj më tepër në këtë ditë humbjeje. Varrimi bëhet nesër në orën 12:00”, përfundon postimi./tvklan.al