Elon Musk i ka bërë një ofertë të çuditshme Taylor Swift. Pas deklaratës së këngëtares se do të votojë Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale, ai i ka ofruar që t’i japë një fëmijë.

“Mirë Taylor… fitove… do të të jap një fëmijë dhe do t’i ruaj macet e tua me jetën time”, shkroi Musk në platformën X.

Nuk është e qartë nëse 53-vjeçari i ofroi 34-vjeçares që të ngjizin një fëmijë apo t’i japë një prej 12 fëmijëve të tij, por ia doli që të merrte komente të ashpra nga mbështetësit e këngëtares.

Por çfarë ndodhi?

Swift e quajti Harris një “lidere të talentuar” dhe tha se do ta mbështesë në garën e saj. Në fund të deklaratës së saj, ajo e quajti veten “Zonja pa fëmijë dhe me mace” duke iu referuar një komenti të kandidatit republikan për zv/president, JD Vance se SHBA drejtohet nga “një tufë grash pa fëmijë dhe me mace që ndihen të dëshpëruara për jetët e tyre dhe zgjedhjet që kanë bërë kështu që duan  ta bëjnë edhe vendin të tillë”.

Taylor nuk ka fëmijë, por tre mace.  Ajo e ka kritikuar hapur Trump, ndërsa në dokumentarin e saj “Taylor Swift: Miss Americana”, është shprehur se i vinte keq që s’kishte reaguar përpara zgjedhjeve të vitit 2016./tvklan.al