Enkelejd Alibeaj: “Janë shumë çështje të cilat ndryshojnë me ligjin e ri. Rreth dhjetë çështje, dhjetë pika ku do të ndërhyhet në ligjin për prokurorinë. Po ju them më kryesoren. Përcaktimi i saktë i hierarkisë në organin e prokurorisë. Saktësohen marrëdhëniet mes drejtuesve të prokurorive përkatëse të nivelit të parë, të nivelit të dytë dhe prokurorit të përgjithshëm. Saktësohen marrëdhëniet mes këtyre prokurorëve duke përcaktuar që marrëdhëniet mes tyre do të jenë të bazuara në ligj, do të jenë të bazuara në shkrim, do të jenë të bazuara në parimin “Zbatohet gjithçka e ligjshme dhe asgjë e kundërligjshme. Do të ndërhyhet në çështjen e konfliktit të interesit. Si çdo administrator, si çdo i besuar i publikut që administron fatet e publikut edhe prokurorët nga më i thjeshti deri tek më i larti, jo për faj të tyre, por për rrethana qoftë edhe objektive mund të bien në konflikt interesi. Në vitin 2003 është hartuar ligji për konfliktin e interesit në administratën publike. Do të duhet që edhe ky segment i shtetit, pra sistemi i prokurorisë, të dalë jashtë konfliktit të interesit dhe është bërë pikërisht një ndërhyrje e tillë. Do të rregullohen marrëdhëniet mes prokurorisë dhe institucioneve të tjera duke ruajtur në thelb çështjen e pavarësisë së sistemit. Ky sistem i pavarur është sistem, i cili nuk është i votuar, që do të thotë marrëdhënia mes këtij sistemi, mes prokurorisë dhe publikut kërkon domosdoshmërish një mekanizëm që këtë sistem ta bëjë të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe ta bëjë efektiv ndaj ndjesive të publikut”./tvklan.al