Asad: Presidenti turk mbështet terroristët

Fund luftimeve në Idlib nga mesnata, mes të enjtes dhe të premtes. Kjo është marrëveshja e arritur mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut turk Erdogan gjatë vizitës së këtij të fundit në Moskë. Ndër të tjera, liderët ranë dakord për krijimin e një korridori humanitar.

“Qëllimi ynë është parandalimi i përkeqësimit të krizës humanitare në rajon. Do të bashkëpunojmë për të dërguar ndihma për të gjithë sirianët në nevojë, pa diskriminuar askënd”.

Armëpushimin e pranon edhe Presidenti sirian Bashar al-Asad, i cili pavarësisht se mbështet normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, akuzon këtë vend për mbështetje të terrorizmit.

“Si mund t’i normalizojmë marrëdhëniet kur Erdogan mbështet terroristët. Vetëm kur ai të ndalet, situata do të ndryshojë, pasi mes popujve të Sirisë dhe Turqisë nuk ka armiqësi”.

Teksa Asad është angazhuar të rimarrë kontrollin e çdo centimetri territorial të Sirisë, me mbështetjen edhe të rusëve, Turqia mbështet rebelët kundërshtarë që kontrollojnë Idlibin. Përplasja mes dy palëve ka larguar javët e fundit 1 milion sirianë nga ky rajon.

Ata janë drejtuar në kufirin me Greqinë, pasi Turqia u hapi atyre portat drejt vendeve të BE-së për shkak të mosmarrëveshjeve me europianët për këtë çështje.

Tv Klan