Ervin Muça, ish drejtori i IT-së në Policinë e shtetit, do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë arrest në shtëpi. Masa ndaj tij u mori pasi ndodhet nën hetim për hyrje të paautorizuar kompjuterike në sistemin TIMS. Muça u paraqit në gjykatën e Tiranës për vlerësimin e masës së sigurimit, ndërsa tha për mediat se nuk ka shkelur detyrën.

Muça mbajti të njëjtin qëndrim edhe para togave të zeza, ndërsa u kërkoi atyre t’i ndryshojnë masën e sigurisë. Në seancën gjyqësore akuza e kryeqytetit tha se Muça në bashkëpunim me persona të tjerë, në 2 gusht të vitit të shkuar kanë ndërhyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit duke eksportuar të dhëna të paautorizuara.

Këto veprime sipas prokurorisë janë kryer gjatë orëve të vona të natës, ku personat e paautorizuar janë futur në godinë me kodin personal të një punonjësi tjetër jo prezent. Ndërhyrja në sistemin TIMS dhe eksportimi i të dhënave është konfirmuar edhe nga laboratori i Prokurorisë së Posaçme që kreu ekspertim në kompjuterin e përdorur.

Klan News