“Vendimi i bankës për dinarin, katastrofë”

Një ditë para se të vijë në Kosovë, i ashpër me kryeministrin Albin Kurti ishte emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një telekonferencë ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë problem në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa ka shtuar se raportet ndërshtetërore tejkalojnë ato të një njeriu apo partie.

“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe dhe shtete tjera si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, tha Escobar.

Dialogu Kosovë-Serbi thotë se është në fazë kritike.

“Po mund të them po, jemi në një moment kritik. Ne jemi të angazhuar që t’u kthehemi marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Kjo është një nga arsyet kryesore pse e vizitoj rajonin”, shtoi ai.

Vendimin e Kosovës për dinarin serb e ka cilësuar katastrofal.

“Duhet që qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës”, tha Escobar.

Nga Brukseli, Escobar pritet të arrijë në Kosovë të mërkurën. Ai pritet më pas të vizitojë edhe Austrinë dhe Malin e Zi.

Tv Klan