“Nuk është e vërtetë. Po tani si do ia bëjmë”. Ulërimat e familjarëve të Besmirit, thyen heshtjen që kishte pllakosur zonën e Caduti di Kindu, të mbushur me policë rrugorë dhe punëtorë të bashkisë që po pastronin vendin ku ndodhi aksidenti tragjik, orët e para të mëngjesit të së dielës.

I pari që mbërriti në vendin e ngjarjes, i shoqëruar nga agjentët e prokurorisë ishte babai i 29-vjeçarit. E çuan drejt të birit që ndodhej i shtrirë në qendër të rrethrrotullimit. Një prej tyre ngriti çarçafin e bardhë. Në atë moment, babai shpërtheu në një ulërimë që të thyente zemrën.

Kur erdhën familjarët e tjerë e gjithë skena u bë edhe më e rëndë, edhe për ata që janë mësuar me vdekjen. Motra nuk mund të bënte paqe, ndërsa i ati u largua në makinë.

Është im vëlla, është im vëlla”, përsëriste motra e 29-vjeçarit që nuk reshte së qari. Nuk ka ngushëllim që mund të lehtësojë tronditjen e dhimbjen që ka pushtuar familjen Shala.

Në apartamentin e tyre që ndodhet në rrugën Norvegia që prej orëve të paradites u hapën dyert e mortit. Besmir Shala u gjet i vdekur mëngjesin e së dielës, në komunën e San Giuliano Terme, në Piza të Italisë. Ai udhëtonte me motor, kur në rrethana ende të paqarta u përplas me rrethrrotullimin në rrugën Moruzzi duke gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes./tvklan.al