Ndeshja Itali-Shqipëri në Euro 2024 do të jetë më e veçanta për ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, ambasadori Bucci e konsideroi sfidën me Shqipërinë, si ndeshjen më të vështirë për Italinë në grup.

“U ndjeva i kënaqur sepse jam ambasadori i Italisë në Shqipëri, të shikosh një ndeshje kaq të bukur është gjëja më e bukur që mund të prisja. Do të jetë një derbi i vërtetë sepse shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Itali, njihen siumë mirë me njëri-tjetrin. Për Italinë do të jetë ndeshja më e vështirë në të gjithë grupin, sepse ekziston rreziku i nënvlerësimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Shqipëria është skuadër e shkëlqyer dhe ka lojtarë të mëdhenj, Asllani, Gjimshiti, gjithë mbrojtja luan në Itali. Do të jetë një derbi, në letër skuadra favorite jo gjithmonë fiton, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Unë kam frikë sulmin, Hasani, Asllani gjithashtu, është një nga skuadrat më të forta të Shqipërisë”.

Grupin ku luan Shqipëria, Italia, Spanja dhe Kroacia, ambasadori italian me ironi thotë se mungonte vetëm Brazili.

“Spanja është gjithmonë një skuadër e madhe, por Kroacia në këto 2 kampionatet e fundit ka lojtarë që kanë shumë grintë. Është një grup ferri, mungon vetëm Brazili”.

Sfidën Itali-Shqipëri që luhet të shtunën në orën 21:00, ambasadori do ta ndjekë në sheshin “Skënderbej” së bashku me disa italianë.

“Ndeshjen do ta shikoj në sheshin Skënderbej. Do jem me italianët aty”.

Të gjitha ndeshjet e Kampionatit Europian do t’i ndiqni në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al