Minutat shtesë bëhen sërish vendimtare në Euro2024. Serbia shmangu humbjen e dytë radhazi në grupin C, pasi në limitet e kohës barazoi llogaritë në 1-1 përballë Sllovenisë. Në “Mynih”, u zhvillua një ndeshje tepër e luftuar, me emocionet që mbërritën ekskluzivisht në ekranin e TV Klan.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola, pavarësisht tentativave nga të dy kombëtaret. Ndërkaq, në fraksionin e dytë skuadrat ishin më të qarta.

Karniçnik zhbllokoi takimin pas një aksioni të bukur nga sllovenët. Kjo solli reagimin e serbëve, të cilët tentuan me të gjithë mënyrat për të gjetur golin e barazimit. Aksione të konkretizuara vetëm në çastet e fundit, me Joviç që gjeti rrjetën dhe i merr një pikë Sllovenisë. Barazim që nuk vlen thuajse për asnjë prej skuadrave, pasi prish edhe llogaritë për vendin e tretë më të mirë në grupet e Europianit. Tashmë përballja e radhës për Serbinë që ka 1 pikë është ndaj Danimarkës, teksa Sllovenia në kuotën e 2 pikëve mat forcat me pretendentët për trofeun, Anglinë.

Klan News