Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë detyrim për tu paraqitur për Mirela Bardhin e akuzuar për “Shkelje e të drejtave të pronësis Industriale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal pas kallëzimit që ka bërë Enxhi Hudhri e cila përfaqëson shtëpinë botuese “Onufri”. Kjo shtëpi botuese ka të drejtat për të botuar librat e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

Hudhri në kallëzimin që ka bërë ka sqaruar së nga data 1 Gusht 2023 deri në datën 1 Janar 2024 libraria e quajtur “Libri Universitar Book Store”, nuk ka deklaruar shitje të asnjë libri të Kadaresë. Ky fakt ka ngjallur dyshime tek Hudhri dhe ka shkuar në këtë librari për të bërë një verifikim të rastit. Ajo ka shkuar në librari në datën 09.04.2024 dhe ka bërë blerje të 3 librave me autor Isamil Kadaren, përkatësisht librat me titull “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Kronikë në gur”, botime këto që nuk janë të shtëpisë së tyre botuese dhe janë kopje e pa autorizuar nga ana e tyre.

Në lidhje me këto blerje Enxhi ka marrë dhe kupon tatimor duke iu ofruar si libra tër regullt dhe të ligjshëm. Pas marrjes së kallëzmit hetuesit kanë shkuar pranë librarisë “Libri Universitar Book Store” dhe janë sekuestruar të gjitha librat e shkrimtarit Ismail Kadare, për t’i verifikuar. Kallëzuesja ka shpjeguar hetuesive se librat origjinal të Kadares ndryshojnë nga kopjet tek kopertina tek ngjyra dhe nga detaje të tjera.

Nga të gjitha hetimet që ka kryer prokurori Bledar Valikaj ka rezultuar se Mirela Bardhi në librarinë e saj ka mbajtur dhe shpërndarë për qëllime fitimi kopje të paautorizuara të librave të shkrimtarit Ismail Kadare si dhe ka realizuar blerje të kopjeve të librave pa fature tatimore. Për këtë arsye prokuroria është duke kryer hetime të metejshme për të zbuluar se në çfarë vendi janë botura librat e kadares në mënyrë të paautorizuar.

Klan News