Pas dorëzimit zyrtar të aplikimit pranë Këshillit Evropian të Pagesave për anëtarësimin e Shqipërisë në “SEPA”, Guvernatori Gent Sejko thekson se ky hap i bën të barabartë qytetarët shqiptarë me ata europianë.

“Realizimi i anëtarësimit në SEPA ka përfitime shumëdimensionale për Shqipërinë nga pikëpamja e procesit të integrimit në familjen e madhe evropiane, por dhe për ekonominë shqiptare dhe tregun vendas të pagesave.Thjeshtësia, komoditeti dhe efikasiteti janë tre nga përfitimet kryesore të këtij anëtarësimi për konsumatorët dhe bizneset. Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas. Përfitimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe familjeve do të jenë në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave, investimeve direkte etj. Projeksionet janë që në afatmesëm ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA.”

Anëtarësimi i përshpejtuar në Tregun Unik të Pagesave në Euro “SEPA”, sipas Sejkos garanton përputhshmërinë e tregut shqiptar të pagesave me legjislacionin dhe praktikat e BE-së.

“Përmbushja e këtij objektivi shënon dhe një nga hapat e parë drejt realizimit të angazhimeve në kuadër të Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, çka do të mundësojë përthithjen nga ana e Shqipërisë të fondeve të disponueshme dhe krijimin e një rruge më të qëndrueshme drejt anëtarësimit të vendit brenda vitit 2030, i cili është dhe objektivi jonë. Përfitimet nga përdorimi i instrumenteve financiare mundësohen vetëm përmes njohjes dhe edukimit financiar.”

Modernizimi i pagesave luan një rol të rëndësishëm në anëtarësimin e Shqipërisë në këtë treg unik, sipas përfaqësuesve të Bankës Botërore.

Matija Laco: Projekti i modernizimit të pagesave në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri, është pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për integrimin në “SEPA” dhe gjithashtu në aspekte të tjera të sistemit të pagesave. “SEPA”ka qenë një objektiv madhor dhe kryesor, ndaj kemi punuar fort me bashkëpunëtorët tanë në Bankën e Shqipërisë.

Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka përmbyllur me sukses këtë fazë të rëndësishme për integrimin në tregun evropian unik të pagesave.

Klan News