Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka vizituar qytetin e Hasit ku është takuar me banorë të zonës.

Në fjalën e tij, Mediu theksoi edhe një herë se Partia Republikane do të përfaqësojë përherë interesat e familjeve shqiptare.

Fatmir Mediu: “A është familja gjëja më themelore dhe më e dashur? Patjetër që po. E pra ky është qëllimi i republikanëve. Familja në radhë të parë, dashuria për fëmijët tanë, bashkëshortet tona, dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për kombin”.

Ndërkaq, Mediu u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për karta identiteti.

Fatmir Mediu: “Është mese e domosdoshme që patjetër të pajisemi me kartat e identitetit se kjo kartë identiteti është gjithashtu dhe dokumenti juaj për të shkuar dhe për të lëvizur si qytetarë të lirë në Bashkimin Evropian. Gëzuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO!”

Duke analizuar edhe një herë arritjet e qeverisë shqiptare gjatë këtij mandati, Mediu tha se me hyrjen në NATO, tashmë ky koalicion, me një mandat të dytë do të vazhdojë rrugën e reformave të tjera të suksesshme, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, investime të tjera në infrastrukturë si dhe anëtarësimin në BE, që do të jetë një finalizim i arritjeve të mëdha të qeverisë Berisha.

Nga ana e saj, ministrja Anila Godo foli për reformat që do të ndërmerren në fushën e shëndetësisë, ku theksoi rritjen e pagave në fillim të muajit Maj./tvklan.al