Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Krimi i organizuar në Shqipëri jo vetëm sfidon shtetin, por shpesh është i infiltruar në strukturat më të larta të tij. Ky realitet i njohur për kriminalitetin shqiptar dhe i zyrtarizuar dhe në raportet e fundit të ndërkombëtarëve, apo në tragjedinë e 9 Janarit, ka bërë që Ministri i Drejtësisë të propozojë ndryshime në kodin e procedurës penale, për të dënuar më rëndë ata shtetarë që bashkëpunojnë me krimin.

Fatmir Xhafaj:- “Ndryshimet që ne kemi çuar aktualisht në parlamentin shqiptar, për ndryshimet në kodin penal të dispozitave të trafikut, e parashikojnë në mënyrë specifike, masa të veçanta penale për rastet e përfshirjes së nënpunësve shtetëror në veprimtari kriminale të kësaj natyre”.

Gazetarja: Transparencës në kuadër të ligjit anti-mafia dhe sekuestrimeve dhe konfiskimeve në fjalë, do t’i nënshtrohen edhe politikanë apo titullarë të lartë të shtetit?

Fatmir Xhafaj:- “Ligji është i barabartë për të gjithë dhe ligjit do t’i nënshtrohen cilido pasuritë e të cilëve, në mënyrë direkte apo indirekte kanë lidhje apo rrjedhin nga një krim”.

Ministri Xhafaj dhe zv/prokurori italian i anti-mafies Francesco Mandoi, kanë deklaruar në fund të takimeve zyrtare, se drejtësitë e dy vendeve do të punojnë më konkretisht kundër krimit të organizuar. Për të ka shprehur Mandoi, mund të krijohen dhe skuadra me oficerë të policisë gjyqësore, për të hetuar dhe vepruar në çështje të përbashkëta.

Duke ndaluar më gjatë tek tragjedia e 9 Janarit në detin Jon, Mandoi ka deklaruar, se pas operacionit të qeverisë shqiptare kundër trafikut të njerëzve në det, grupe kriminale shqiptare ndërprenë trafikun e qenieve njerëzore, duke aktivizuar trafikun e lëndëve narkotike. Për këtë goditja ekonomike për krimin shqiptar është e domosdoshme sipas prokurorit italian.

Xhafaj dhe Mandoi nuk kanë bërë një përkufizim konkret se kush është mafia shqiptare, por Francesco Mandoi e ka krahasuar gjendjen në Shqipëri, me realitetin e viteve 91-92 në Itali, pas vrasjeve të rënda të prokurorëve italianë nga grupe mafioze./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj